Dinamos i duhet vetëm fitorja në përballjen e nesërme me Pafos, në aktin e dytë të sfidës që do të luhet në stadiumin “Alphamega” në orën 19:00.
Të lidhura
None found
Pas humbjes ndaj Vorës në kampionat, që e bëri jo të mirë nisjen në Superiore, skuadra kryeqytetase e ka përqendruar vëmendjen te objektivi europian. Në Qipro, “blutë” synojnë me çdo kusht rezultatin që do t’u sigurojë një vend në grupet e Conference League.
Detyra nuk është e lehtë, pasi ndeshja do të zhvillohet në transfertë dhe takimi i parë në “Elbasan Arena” përfundoi në barazim 1-1, duke e lënë të hapur garën për kualifikim. Edhe kujdesi i treguar në ndeshjen me Vorën, ku u vu re përpjekja për të administruar energjitë, lidhet me rëndësinë e kësaj sfide. Dinamo pritet të zbresë në fushë e motivuar dhe e karikuar maksimalisht për të bërë hapin drejt fazës së grupeve.
Në kampin dinamovit mbizotëron besimi se objektivi është i arritshëm. Në krye të ekipit është Ilir Daja, trajneri që ka regjistruar suksese me klubet që ka drejtuar më parë, mes tyre Ballkani dhe Skënderbeu. Me skuadrën korçare ai ka arritur grupet e Europa League, ndërsa me ekipin e Superligës së Kosovës ka prekur fazën e grupeve të Conference League.
