Diant Ramaj injoron Kosovën dhe Shqipërinë: Kam oferta, por po pres Gjermaninë

Diant Ramaj vendosi të mbyllte aventurën e tij në Gjermani me Eintracht Frankfurt, për tu transferuar tek gjiganti hollandez i Ajax. Ramaj është kthyer në portier titullar tek këta të fundit, duke fituar kështu besimin e klubit.

Pavarësisht paraqitjeve të kënaqshme, shqiptari nga Kosova akoma nuk ka vendosur se për cilën kombëtare do të luajë. Por së fundmi, është vetë 22-vjeçari që ka folur për këtë temë dhe të ardhmen e tij përsa i përket shtetit që do të përfaqësojë.

“Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë u thashë që kam nevojë për kohë, gjithashtu sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”, është shprehur Diant Ramaj.

Kujtojmë që portieri shqiptar në këtë sezon me fanellën e Ajaxit të Amsterdamit ka luajtur 17 ndeshje, ku ka pësuar 26 gola. Ndërsa vetëm 4 sfida i ka përfunduar me rrjetë të paprekur. /newsport.al/


Shtuar 11.01.2024 18:15