Dhuna në ndeshjen Trabzonspor – Fenerbahçe, reagojnë ministrat turq

Në javën e 30-të të Superligës së Turqisë, Fenerbahçe ka mposhtur me rezultat 3-2 Trabzonsporin. Pas ndeshjes, futbollistët verdheblu janë mbledhur në mesin e fushës dhe kanë festuar fitoren.

Ndërkohë në fushë kanë hyrë edhe tifozët kundërshtarë. Më pas, ndërsa ka pasur tension mes tifozëve të Trabzonsporit dhe futbollistëve të Fenerbahçes, forcat e sigurisë patën vështirësi në parandalimin e ngjarjeve.

Lojtarët e Fenerbahçes kanë shkuar në dhomat e zhveshjes pas ngjarjeve, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya ka reaguar në lidhje me kaosin pas ndeshjes.

“Pas ndeshjes së futbollit Trabzonspor-Fenerbahçe të luajtur mbrëmjen e sotme, u nisën menjëherë përpjekjet për identifikimin e hyrjes së shikuesve në fushë dhe hetimin për ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes”, thuhet nw reagimin e Yerlikaya.

“Sporti është mbi të gjitha. Asnjëherë nuk është e pranueshme që dhuna të ndodhë në fushat e futbollit”.

“Publiku do të informohet për zhvillimet”, përfundon njoftimi i ministrit turk të punëve të brendshme.

Lidhur me ndeshjen plot ngjarje, Ministri i Rinisë dhe Sporteve, Osman Askın Bak gjithashtu ndau një deklaratë.

“Ajo që ndodhi pas ndeshjes Trabzonspor-Fenerbahçe nuk i përshtatet frymës së miqësisë dhe vëllazërisë sportive”.

“Nga organet përkatëse kanë nisur hetimet e nevojshme. Ne vazhdojmë ta ndjekim nga afër procesin”, deklaroi ai. /Telegrafi/


Shtuar 18.03.2024 13:05