Dështimi i radhës në Champions, Pirlo: Zërat për largimin e Ronaldos janë normale

Elimini nga Champions League shumë më shpejt nga se pritej, ka trazuar jo pak ujërat në kampin e Juventusit. Tanimw objektivi i vetëm është kampionati, me një Inter që duket i vështirë për tu kapur në krye.

Trajneri Andrea pirlo doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku pranoi se skuadra e ka vuajtur jo pak eliminimin nga Liga e kampionëve, por bëri thirrje që e gjithë vëmendja të kalojë te kundërshtari i radhës, Cagliari.

“Eliminimi nga Champions ishte një goditje goxha e rëndë, por skuadra po e merr veten. Jemi stërvitur të gjithë bashkë dhe kemi përpara rrugën drejt Cagliarit, ndaj duhet të mendojmë vetëm për atë ndeshje. Sardët kanë ndërruar trajner dhe menjëherë kanë marrë rezultate mjaft pozitive, ndaj e dimë që na pret një transfertë e vështirë, ku duhet të marrim 3 pikët”, u shpreh tekniku bardhezi.

Cristiano Ronaldo është një nga ata që e kanë vuajtur më shumë eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe mediat kanë aluduar për një rikthim të mundshëm të tij te Reali i Madridit, ndërsa Pirlo i ka quajtur normale zërat e merkatos për një prej futbollistëve më të mirë në planet.

“Ronaldo është mirë. Normalisht që është i zhgënjyer, ashtu si e gjithë skuadra, por është stërvitur mirë, për të luajtur nga fillimi ndaj Cagliarit. Është një nga personazhet më të rëndësishëm në këtë sport dhe zërat përreth tij janë normale në çdo kohë”, deklaroi trajneri i Juventusit. /albeu.com/

 


Shtuar 13.03.2021 16:20