Tirana dhe Partizani luajnë të dielën në orën 19:00 në “Air Albania” derbin e kryeqytetit për javën e 15-të në Superligë. Përballja do jetë e 199 mes tyre në histori, në të gjitha kompeticionet.
Në prag të derbi duket se situata është e tensionuar në kampin bardheblu. Drejtuesit kanë vendosur të pezullojnë mesfushorin Ardit Hila. Shtypi i shkruar bën me dije se për shkak të tensioneve me tifozët në sfidën kundër Kukësit, Hila nuk është pjesë e ekipit të parë duke mos u lejuar as në dhomat e zhveshjes.
Lojtari stërvitet veçmas dhe as dje nuk ishte në përgatitje me Tiranën, duke mos u përjashtuar një shitje e tij e mundshme në janar. Kjo është hera e dytë që brenda muajit lojtari pezullohet.
Hera e parë ishte në derbin e fazës së parë kundër Partizanit. I zëvendësuar në minutën e 67-të, elbasanasi nuk shkoi në stolin e ekipit, por u fut në dhomat e zhveshjes duke sjellë një situatë të tensionuar. Tanimë konflikti me tifozët e Kukësit bëri që Tirana të marrë sërish masa për Hilën./albeu.com