Ousmane Dembele synon të reagojë dhe të ngrejë nivelin e paraqitjeve me fanellën e Francës, pas kritikave të marra gjatë kësaj pauze ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
Fituesi i Topit të Artë 2025 nuk ka mundur të shfaqë me kombëtaren të njëjtën formë që ka treguar te Paris Saint-Germain.
Sulmuesi ka qenë titullar në dy prej tri ndeshjeve të zhvilluara nga Franca gjatë këtij grumbullimi, por paraqitjet e tij kanë mbetur larg pritshmërive.
Pas sfidës së fundit, kritikat u ashpërsuan. Dave Appadoo, nga “L’Equipe”, vuri në dukje diferencën e madhe mes Dembeles që luan për PSG-në dhe atij që shihet në radhët e Francës.
“Mirëmbrëma, Ousmane, kam disa fjalë për ty. Je fituesi i Topit të Artë, por ky ishte një Top i Artë parisien. Ka një ndryshim shumë të madh mes asaj që prodhon me Parisin dhe asaj që ende nuk po arrin ta tregosh me Kombëtaren franceze”, deklaroi Appadoo.
Ai shtoi: “Duket se nuk po arrin të marrësh kontrollin e kësaj skuadre. Kushtet ishin ideale, veçanërisht për shkak të mungesës së Kylianit, ndërsa Zidane të vendosi në pozicionin më të favorshëm të mundshëm, në sulm”.
“Po u rikthehesh disa zakoneve të vjetra, me pasaktësi teknike dhe probleme për t’i drejtuar goditjet në kuadrat. Tani mbetet të shohim se çfarë do të bësh më tej. Gjithçka është në dorën tënde, Ousmane”, përfundoi ai.
Sipas RMC Sport, Dembele e ka përballuar me qetësi këtë situatë dhe nuk është i panjohur me presionin e mediave, sidomos për shkak të periudhës së kaluar te Barcelona.
Megjithatë, futbollisti francez e pranon se duhet të përmirësohet. Raportohet se ai ka mbetur i pakënaqur nga paraqitja kundër Italisë të premten dhe mendon se mund të japë shumë më tepër në ndeshjen e ardhshme ndaj Belgjikës.
Dembele dëshiron t’u përgjigjet kritikëve në fushë. Roli i tij mund të ndryshojë ndaj belgëve, pasi ylli i PSG-së ka thënë së fundmi për “Telefoot” se është i gatshëm të luajë si numër 9, por edhe në krahun e djathtë.
Tani pritet të shihet nëse ai do të reagojë me një paraqitje në nivelin e tij më të mirë dhe do t’u japë përgjigjen kritikave përmes lojës.
