Danimarka deri tani ka rezultuar surpriza më e bukur e këtij Europiani. Me pak fat në short por edhe e motivuar dyfish për të lënë shenjë në Euro 2020 pas frikës që përjetuan me Christian Eriksen në ndeshjen hapëse të Euro 2020, përfaqësusja skandinave ja doli të kalonte grupin falë fitores 4-1 ndaj Rusisë në Telia Parken të Copenhagenit dhe më pas eliminoi me radhë Uellsin dhe Republikën Ceke.
Ndaj britanikëve danezët shkëlqyen duke triumfuar me shifrat e thella 4-0 ndërsa ndaj Patrick Schick me shokë u mjaftuan me një fitore minimale 2-1 që gjithsesi i kualifikoi në gjysmëfinale. Pikërisht tani vjen më e vështira për Danimarkën që do të përballet me Anglinë vendase në Wembley. Objektivin kryesor skuadra e trajnerit Kasper Hjulmand e ka realizuar tashmë, megjithatë oreksi vjen duke ngrënë dhe këtë ka lënë të kuptohet kapiteni Simon Kjaer në një intervistë. Lideri i kësaj Danimarke ka paralajmëruar Anglinë të këtë kujdes nga përfaqësuesja skandinave.
“Objektivi ynë ishte të shkonim në gjysmëfinalet e ‘Wembley’, por do të gënjeja nëse do thosha se tani mjaftohemi me kaq. Për momentin mendojmë të rikuperohemi fizikisht sepse të mërkurën do të luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme. Luftuam me dhëmbë e thonj ndaj Çekisë. Mund të kishim bërë ndeshje më të mirë sepse u lamë mjaft terren kundërshtarëve, por për fat të mirë u mbrojtjëm mirë”, deklaroi Kjaer.
Angli-Danimarkë do të luhet të mërkurën në orën 21:00 në Wembley, aty ku pjesa më e madhe e tifozëve do të jenë anglezë. Për Danimarkën kjo është hera e parë që luan në gjysmëfinalet e një Europiani që pas Euro 1992 ku erdhi si e ftuar dhe arriti të shpallej kampione e Europës.