Courtois nuk i trembet PSG-së: Në Santiago Bernabeu kanë ndodhur përmbysje gjithmonë

Paris Saint Germain ka arritur ta mposhtë Real Madridin në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve.

Parisienët kanë triumfuar me rezultat minimal 1-0 falë një goli në minutat e fundit të ndeshjes nga Kylian Mbappe.

Por ndeshja e kthimit pritet të jetë edhe më e zjarrtë pasi Los Blancos tentojnë përmbysjen, derisa parisienët udhëtojnë për mos tu mposhtur.

Portieri belg i Real Madridit, Thibaut Courtois ka folur për momentin e Real Madridit gjatë muajit shkurt, ku edhe u eliminuan nga Kupa e Mbretit.

“Ky muaj ka patur shumë ulje-ngritje. Eliminimi nga Kupa e Mbretit ishte i papritur, ndeshja në Paris nuk shkoi mirë, por gjithçka është akoma e hapur dhe shpresojmë që të përmbysim rezultatin. Ka ndodhur edhe më parë në Bernabeu”, u shpreh Courtois.

Tutje belgu ka folur edhe për penalltinë që i priti Lionel Messit në ‘Parc de Princes’, duke thënë se ishte një moment i veçantë për të, por pa kualifikim nuk do të ketë vlerë.

“Sigurisht që ishte një moment i veçantë, por nëse nuk kualifikohemi nuk vlen fare. Duhet të përsëris të njëjtën paraqitje, që ajo pritje të marr kuptim”, u shpreh portieri belg.


Shtuar 5.03.2022 09:41