Edicioni i 47-të i Copa America nisi sipas parashikimeve. Kompeticioni i cili ishte në program për t’u luajtur një vit më parë në Argjentinë dhe Kolumbi u shty me një vit për shkak të Covid-19, ndërkohë që për probleme me koronavirusin të Argjentinës dhe atyre politike të Kolumbisë gjatë muajve të fundit u zhvendos në Brazil, megjithatë edhe në 2021-n pretendentja kryesore për suksesin final mbetet Seleçao që në ndeshjen hapëse në kryeqytetin Brasilia mposhti lehtësisht 3-0 Venezuelën.
Përballë një kombëtareje që pak ditë para startit të Copa America 2021 kishte zëvendësuar të gjithë grupin e futbollistëve me elementë të shumtë nga kampionati vendas për shkak të infektimit të 15 lojtarëve me Covid-19, Brazili e pati shumë të thjeshtë. Në minutën e 22-të Marquinhos përfitoi në maksimum nga një top i mbetur në zonë duke kaluar Brazilin në avantazh.
Me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë ndërkohë që në fraksionin e dytë skuadra e Tites shënoi edhe golin e 2-të pikërisht me Neymar Jr që kthehu në gol një penallti në minutën e 65-të. Shenjë në këtë sfidë la edhe Gabriel Barbosa që i ardhur në fushë nga stoli shënoi dhe golin e 3-0 për Brazilin pak para fundit duke volusur suksesin dhe ndoshta edhe kualifikimin e Seleçaos në grupin A.
Me këmbën e mbarë e nisi këtë kompeticion edhe Kolumbia që në Arena Pantanal në Cuiaba u tregua racionale duke marrë tre pikët e para falë suksesit 1-0 ndaj Ekuadorit. Me emra të tillë si Muriel, Duvan Zapata e Davinson Sanchez të lënë në stol nga trajneri Reynaldo Rueda, Los Cafeteros iu falën një goli të Edwin Cardonës në minutën e 42-të pas asistit të Miguel Borjas, finalizim ky që vendosi fatet e takimit.
Pas raundit të parë të ndeshjeve Brazili kryeson grupin A të Copa America i ndjekur nga Kolumbia teksa këtyre dy kombëtareve mund t’iu mjaftojë edhe nga vetëm një barazim në 3 ndeshjet e mbetura të grupit për të avancuar në fazën tjetër pasi nga raundi i parë do të eliminohen vetëm 2 skuadra.