Colella: E respektojmë Kukësin, por duam fitoren

Partizani udhëton në Kukës për t’u përballur me skuadrën e Enkelejd Dobit, me sfidën që do të luhet ditën e hënë duke nisur që nga ora 15:00.

Një sfidë ku të dy ekipet do të kërkojnë fitoren, me demat që duan të bëjnë autokritikën për atë humbje ndaj Erzenit, ndërsa verilindorët me Dobin në stol duan 3 pikët e para në këtë sezon.

Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve, Giovanni Colella theksoi se Kukësi është një skuadër e fortë, teksa deklaroi se nuk firmos për barazimin. Duket se mungesat janë ato që shqetësojnë në kampin e kuq.

Nuk njoh një kampionat që mund të fitosh dhe të humbasin të gjithë. Vetëm në kampionatin e moshave fiton gjithmonë më i forti. Çdo skuadër duhet ta tregojë javë pas jave që duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Mendoj që çdo ekip duhet të ketë strategjinë e tij. E jona tregon që mund të lëshojmë disa hapësira, sepse nëse do që të luash në gjysmën e fushës së kundërshtarit është normale që gjysma e jote e fushës do të qëndrojë e boshatisur. Është një rrezik që duhet ta pranojmë, nëse jo duhet të luajmë të gjithë prapa dhe të mos lejojmë hapësira, vetëm dy zgjidhje ka.

Kukësi – Një skuadër që ndryshon trajnerin të krijon probleme. Edhe sepse kur vijnë trajnerë të rinj, sjellin entuziazëm në ekip. Përfitoj të uroj trajnerin e ri të Kukësit, Enkeleid Dobi punë të mbarë.

Ndeshja – Ne do të kërkojmë që të kryejmë lojën tonë, sepse ky është mentaliteti ynë. Kemi shumë respekt për Kukësin, por ne do të duhet të kemi identitetin tonë si skuadër për të kërkuar gjithmonë rezultate pozitive.

Paraqitjet – Paraqitja që Partizani bëri ndaj Erzenit ishte pozitive në çdo aspekt. Bëmë një gabim te momenti ku pësuam golin, nuk ishte një gabim i rëndë, po na kushtoi. Në gjithë këto kohë kemi fituar ndeshje duke bërë shumë gabime dhe të humbas ndeshje ku mund të kem bërë vetëm dy gabime. Kjo është bukuria e futbollit. Humbjet janë pjesë e futbollit. Çdo skuadër pretendon që nga 36 ndeshje të kampionatit të fitohen të gjitha. Dua t’iu kujtoj se askush nuk e ka bërë një gjë të tillë deri tani. Të pranojmë humbjen, nuk jemi të kënaqur për humbjen. Nëse Partizani do të kryejë ndeshje të tilla si ndaj Erzenit, do të humbasë shumë pak ndeshje. Nuk është çështje taktike, por paraqitjeje. Ne punojmë për të fituar çdo ndeshje edhe pse nuk mund t’ia dalim. Ajo që mund të ndihmojë që të arrijmë përpara të tjerëve është ecuria e gjatë e vazhdimësisë. Nëse bën paraqitje një herë mirë dhe një herë jo në pritshmëritë e duhura, në fund rezultatet nuk do të jenë të shkëlqyera. Ka edhe ndeshje që nuk i kemi bërë paraqitje të mira si ndaj Egnatias, por arritëm ta fitojmë atë sfidë. Futbolli është i tillë, sepse nuk ka gjithmonë të njëjtën logjikë. Vazhdimësia për mua prodhon rezultate pozitive.

Dëmtimet – Skuka i ka bërë të gjitha seancat stërvitore. Futbollisti që kemi me probleme është Da Silva që nuk është stërvitur rregullisht, madje ka pasur edhe probleme të dielën e kaluar. Preka është rikthyer të stërvitet rregullisht me ekipin, ndërsa Hoti vijon programin e tij individual të përcaktuar nga stafi teknik. I gjithë grupi i lojtarëve do të jenë të gjithë të gatshëm duke filluar nga java e ardhshme.

Unë nuk firmos për barazim, por nëse do të arrijmë të marrim një pikë në Kukës, do jap përgjigjen nesër pas ndeshjes. Ne do të shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë në Kukës. Pikët janë çështje e meritës nëse ti ke arritur të bësh mirë në atë sfidë.

Golat – Unë pres shumë nga të gjithë lojtarët sepse të shënosh gola nuk është punë vetëm e sulmuesve. Pres shumë edhe nga mesfushorët, sepse janë shumë të aftë për të realizuar gola dhe disa gola duhet t’i bëjnë. Edhe të mbrosh nuk është punë vetëm e mbrojtjes. Siç e mendoj unë të mbrosh është problem edhe atyre sulmuesve përpara”, tha Colella. / h.ll/albeu.com


Shtuar 18.09.2022 16:05