Chelsea ofron kontrata 7-vjeçare per yjet e ekipit, përfshihet dhe Broja

Aventura e Todd Boehly te Chelsea në Premier League ka nisur mirë, me klubin londinez që deri më tani ka arritur të grumbullojë katër pikë në dy ndeshje. Ndërsa presidenti i ri nuk është kursyer aspak në merkato, me Chelsea-n që mban vendin e parë për shpenzime deri më tani.

Megjithatë, 48-vjeçari ka vendosur standarde të reja dhe po riformulon të gjithë strukturën e klubit brenda dhe jashtë fushe. Todd Boehly dëshiron që me të rinjtë e ekipit të zhvillojë një tjetër strategji, të ngjashme me atë të stilit Amerikan. Sipas raportimeve, Chelsea do t’i ofrojë rinovimin e kontratave, yjeve të rinj të ekipit që janë nën moshën 25 vjeç, me marrëveshje afatgjatë dhe bëhet fjalë për kontrata 7-vjeçare.

Të parët që shumë shpejt mund të hedhin firmën për rinovimin e kontratës janë Mason Mount dhe Reece James. Mount është një prodhim i akademisë të Chelsea-t dhe anglezi u rikthye përsëri në vitin 2019 me “blutë” e Londrës. Mesfushori është pjesë e rëndësishme e trajnerit Thomas Tuchel dhe kjo tregohet qartë në dy ndeshjet e para të Chelsea-t në Premier League, me 23-vjeçarin që e ka nisur si titullar.

Ndërsa Reece James, është një tjetër lojtar i dalë nga akademia e “bluve” të Londrës. 22-vjeçari shkëlqeu në derbin e Londrës, ku mbrojtësi shënoi golin e dytë për Chelsea-n.

Megjithatë surpriza qëndron te ylli i kombëtares “kuqezi” Armando Broja. Në listën e amerikanit qëndron dhe shqiptari, që ka impresionuar jo pak me paraqitjet e tij. Tuchel dhe Boehly e shohin 20-vjeçarin pjesë të rëndësishëm për të ardhmen e klubit dhe të dy së bashku kanë vendosur që Broja të jetë pjesë e organikës së Chelsea-t për sezonin 2022-2023, pavarësisht se Newcastle dhe West Ham e kanë pasur objektivin kryesor në merkato.

Gjithashtu me rinovimit e kontratës për Armandon Brojën do të ketë dhe rritje të pagës, pasi vlera e shqiptarit deri më tani në merkato ka shkuar në 30 milionë paund. /SS/

Shtuar 17.08.2022 18:38

Tags: