Çfarë Kosove! Tjetër fitore madhështore ndaj Suedisë, vazhdon ëndrra për Botëror

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një tjetër fitore madhështore ndaj Suedisë, duke vazhduar kështu me shpresa për Kampionatin Botëror të vitit 2026.

“Dardanët” fituan në udhëtim ndaj Suedisë me shifra minimale prej 1-0, shkruan “Gazeta Express”.

Fitoren e madhe Kosovës ia dhuroi sulmuesi Fisnik Asllani, i cili shënoi në pjesën e parë të ndeshjes.

Më saktëisht, Asllani shënoi në minutën e 32-të të ndeshjes, pas një asistimi nga Veldin Hoxha.

Në fund të pjesës së parë, Kosova e pati edhe një mundësi të artë për të dyfishuar epërsinë, por që Vedat Muriqit iu ndal goditja nga portieri suedez dhe Leon Avdullahu më pas e goditi shtyllën.

Në pjesën e dytë, natyrisht, sulmet nga ana e Suedisë u shtuan, mirëpo pa rrezik të madh për portën që mbrohet nga Arijanet Muric.

Alexander Isak pati një mundësi të mirë me kokë, e cila kaloi mbi portë, dhe Roony Bardhji që ishte rrezik nga ana e majtë e mbrojtjes së Kosovës.

Ndërkohë, superylli i Liverpoolit, Isak pati edhe një mundësi të mirë, përsëri me kokë, por që u ndal nga duart e Arijanet Muricit.

Me këtë fitore, Kosova shkon në kuotën e shtatë pikëve pas katër ndeshjeve, derisa Suedia mbetet e fundit me vetëm një pikë.

Ndeshjen e radhës, Kosova e luan ndaj Sllovenisë më 15 nëntor, teksa më 18 nëntor e përmbyll këtë cikël kualifikues./GazetaExpress/


Shtuar 13.10.2025 23:10

Tags: ,