Ceferin shpjegon pse u përsërit në tërësi shorti i Champions League

Aleksander Ceferin, presidenti i UEFA-s, foli pas Komitetit Ekzekutiv të organit të tij dhe shpjegoi se çfarë ndodhi në shortin e Ligës së Kampionëve ku pati një problem që e bëri të nevojshme përsëritjen e tij: “ Diçka nuk shkonte me softuerin. UEFA kontaktoi ofruesin e saj të softuerit dhe u vendos që i gjithë shorti të përsëritej sepse nuk dihej saktësisht se kur kishte ndodhur gabimi. Vendimi ynë ishte të jemi transparent. Është shumë herët për të folur për pasojat. Ne kemi mësuar. Është e qartë se ky është një vendim i UEFA-s. Ne ishim të varur nga teknologjia dhe ndoshta duhet të ishim më pak të varur. Na vjen keq për gabimin. Janë dështime që ndodhin. Ato nuk janë dështime njerëzore, por dështime teknologjike”.

Slloveni komentoi edhe për atë që pret nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s të hënën në të cilin mund të shpallet Botërori dy-vjeçar: “Propozimi i parë që na erdhi nga FIFA ishte që të mbajmë një kongres të jashtëzakonshëm, e kundërshtuam së bashku me CONMEBOL sepse  nuk kishte informacion të mjaftueshëm. Është e vështirë të thuash kur nuk ke mjaftueshëm lajme. Nuk pres diçka shumë të thellë të hënën, do të ketë 211 federata të lidhura në të njëjtën kohë në mënyrë virtuale… E vetmja gjë që dimë është se quhet “E ardhmja e Futbollit”. Por kjo mund të thotë shumë ose mund të thotë asgjë”.

Presidenti dha detaje edhe për rimodelimin e mundshëm të Fair Play-it financiar: “Kemi folur për strategjinë e Futbollit të Qëndrueshëm 2030. Është krejtësisht ndryshe nga Fair Play. Kemi pasur takime me të gjithë futbollistët dhe gjithashtu me tre ligat kryesore: Premier, LaLiga dhe Bundesliga. Është diçka që ne duhet ta vlerësojmë ”.

Ceferin njoftoi gjithashtu se kandidaturat për organizimin e Evropianëve 2028 dhe 2032 do të shpallen në të njëjtën kohë dhe se federata që zgjedh njërën nuk do të mund të zgjedhë tjetrën. r.t/albeu.com


Shtuar 16.12.2021 14:47