Vllaznia do të luajë në transfertën me Skënderbeun këtë të Shtunë në synimet për t’u rikthyer te fitorja pas atij barazimi 1-1 me Partizanin javën e kaluar. Por pikërisht për këtë ndeshje, trajneri Brdariç foli në konferencën për shtyp ku foli edhe për deklaratat e trajnerit Ilir Daja.
“Mendoj se përballja me Partizanin ishte e fortë dhe ata kanë dëshirë të fitojnë me ne. Ishin mirë në mbrojtje, ne lamë hapësira në prapavijë dhe ata përfituan. Daja? Secili duhet të shohë ekipin e vet, ne kemi pesë pikë dhe ata kanë dy. Nëse arbitri nuk do kishte gabuar te goli për pozicionin jashtë loje, ne do kishim marrë tri pikë dhe do flisnim ndryshe. Ajo shkoi dhe tani të përqëndrohemi te Skënderbeu.”
Lidhur me ndeshjen me Skënderbeun, trajneri i shkodranëve tha se ka disa mungesa ndaj dhe do të bëjë ndryshime në rreshtimin e skuadrës.
“Na mungojnë Da Silva. Do luajë Fallu-Dianje në pozicion tjetër, do bëjmë disa ndryshime nga ndeshja me Partizanin. Jemi një grup në zhvillim dhe do kemi ulje-ngritjet tona. Synojmë që të bëhemi një ekip me vetbesim dhe të rrisim nivelin e lojës, që të bëhemi më të mire. Nuk duhet t’i lejojmë hapësirat që kërkojnë dhe jemi gati për këtë ndeshje të radhës me Skënderbeun”, përfundoi trajneri gjerman.