Bellingham bëhet fitues i çmimit prestigjioz, atë nuk arritën ta fitojnë as Ronaldo as Messi

Jude Bellingham është bërë futbollisti i parë ndonjëherë që fiton një çmim shumë prestigjioz, vetëm një ditë pasi shënoi golin e fitores për Real Madridin në El Clasico.

Bellingham e nisi në mënyrë perfekte aventurën e tij me ‘Los Blancos’ duke barazuar madje rekordin e golave të Cristiano Ronaldos.

Ai e fitoi çmimin ‘Laureat Botëror i Vitit’ çmim të cilin nuk e kanë fituar asnjëherë gjatë karrierës së tyre Ronaldo dhe Messi.

Goli i reprezentuesit anglez në minutën e fundit ndaj Barcelonës ishte i 17-ti për të në La Liga, teksa po vazhdon të shkëlqejë në një rol më të avancuar në fushë.

Disa nga fituesit e mëhershëm të këtij çmimi përfshijnë Lewis Hamilton, Emma Raducanu, Rafael Nadal dhe Patrick Mahomes.

Përkundër faktit që 21 nominime ishin bërë nga bota e futbollit që prej se ky çmim u promovua në vitin 2000, nuk ka pasur asnjë fitues deri në momentin kur Bellingham e mori trofeun në shtëpi.

Disa nga futbollistët që u nominuan për këtë çmim janë Pedri, Ansu Fati, kombëtarja e Marokut dhe Kylian Mbappe, ndërsa Steven Gerrard kishte përfunduar në pozitën e dytë në vitin 2002.

Bellingham e mori çmimin nga ylli spanjoll i tenisit, Carlos Alcaraz, i cili e fitoi atë në vitin 2023.

“Urime për Jude, unë e fitova këtë çmim vitin e kaluar dhe ishte me të vërtetë i veçantë për mua, sepse u votua nga akademia e laureatëve dhe i jep një njohje ndërkombëtare të gjitha sporteve”, ka thënë Alcaraz. /Telegrafi/


Shtuar 23.04.2024 16:50