Bayerni konfirmon lëndimin e De Ligt, holandezi do t’i mungojë gjatë bavarezëve

Bayern Munich ka marrë një tjetër lajm të keq sa i përket repartit të mbrojtjes, pasi kanë mbetur pa një futbollist shumë të rëndësishëm.

Mbrojtësi holandez Matthijs de Ligt ka pësuar një lëndim gjatë kampit stërvitor që bavarezët po e mbajnë në Portugali gjatë këtyre ditëve.

Ka qenë faqja zyrtare e Bayernit që ka konfirmuar lëndimit e holandezit në gjurin e majtë.

“Matthijs de Ligt ka pësuar një dëmtim kapsulë në gjurin e majtë gjatë kampit stërvitor në Faro të Portugalisë”.

“Diagnoza u konfirmua nga departamenti mjekësor i FC Bayern pas një skanimi MRI atje. Prandaj, mbrojtësi nuk do të jetë në gjendje të stërvitet për momentin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Bayern Munich,

Edhe pse Bayern nuk e ka specifikuar se sa do të mbetet jashtë lojtari, besohet se ai do t’i humbas rreth pesë ndeshje.

Rikthimi i De Ligt pritet të ndodhë në mes të muajit shkurt, në fakt në fazën vendimtare të Bayernit atëherë kur rikthehen edhe ndeshjet e Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/


Shtuar 17.01.2024 16:48