Bayern Munchen interesohet për Thomas Strakoshën

Thomas Strakosha është shënjestruar nga Bayern Munchen. Gjiganti gjerman po kërkon një portier rezervë të Manuel Neuer dhe i fundit që ka përfunduar në listë është portieri shqiptar, ka raportuar “Sky Sport” nga Gjermania.

Neuer po rikthehet nga lëndimi dhe ai do të vazhdojë si portieri i parë i Bayernit.

Yann Sommer do të largohet nga “Allianz Arena”, me Interin që është favorit për të nënshkruar me të.

Kësisoj, “Bavarezët” po kërkojnë zëvendësuesin e 34-vjeçarit. Giorgi Mamardashvili është emri më i përmendur.

Megjithatë, kampionët gjermanë nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shumë para për një portier të dytë dhe tani po shqyrtojnë dy opsione tjera; Strakoshën dhe Dominik Kotarski i PAOK Salonika.

Për të dy thuhet se është diskutuar tashmë brenda klubit.

Si portieri shqiptar, ashtu edhe ai kroat, do t’i kushtonin më lirë Bayernit, krahasuar me Mamardashvilin e Valencias.

Strakosha e kaloi sezonin e kaluar në Brentford, ku pati vështirësi për kohën e lojës, duke u paraqitur vetëm dy herë.

28-vjeçari kishte bërë emër te Lazio para se të transferohej në klubin anglez.

Ai regjistroi 208 paraqitje për lacialët, ndërsa kishte mbajtur 62 portën e paprekur.

Strakosha numëron edhe 22 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë. Bazuar në “Transfermarkt”, Strakosha në treg vlerësohet me 3.5 milionë euro.


Shtuar 17.07.2023 22:23