Barcelona po përballet me një javë përcaktuese në tentativën për të siguruar shërbimet e Julian Alvarezit nga Atletico Madridi, ndërsa drejtuesit katalunas presin lëvizjen e ardhshme të sulmuesit argjentinas.
Të lidhura
None found
Klubi ka avancuar ndjeshëm në përgatitjet për sezonin e ri. Transferimet e Rodrit dhe Joao Cancelos raportohet se janë pranë përfundimit, ndërsa shitja e Ferran Torresit i ka sjellë Barcelonës rreth 50 milionë euro.
Megjithatë, fokusi kryesor tashmë është Julian Alvarez, i cili konsiderohet objektivi numër një i Barcelonës gjatë këtij afati kalimtar.
Takimi mes futbollistit dhe presidentit të Atletico Madridit, Miguel Angel Gil Marín, është shtyrë disa herë, por pritet të zhvillohet gjatë ditëve të ardhshme.
Alvarez synon ta përdorë këtë bisedë për të zhbllokuar situatën dhe për ta bindur drejtuesin e Atleticos që të hapë negociatat me Barcelonën për transferimin e tij.
Sulmuesi beson se Gil Marin duhet të mbajë një premtim të pretenduar, sipas të cilit do t’i lejohej të largohej gjatë kësaj vere nëse ai do ta kërkonte një mundësi të tillë. Sipas Marca, kjo është marrëveshja e mirëkuptuar që Alvarez ia ka përcjellë Barcelonës.
Por koha nuk është në anën e klubit katalunas, i cili nuk mund ta lërë këtë çështje të hapur pa afat. Barcelona pret që një vendim të merret brenda kësaj jave.
Nëse Atletico Madridi pranon të ulet në tryezën e negociatave, Barcelona do të nisë zyrtarisht ofensivën për Alvarezin. Në rast të kundërt, drejtuesit do të duhet ta mbyllin këtë kapitull dhe të orientohen drejt një alternative.
Situata mund të ndikohet edhe nga kalendari i Atleticos, pasi madrilenët do të luajnë dy ndeshje në shtëpi këtë javë, përballë Malagas dhe Villarrealit. Reagimi i tifozëve mund të luajë një rol shtesë në zhvillimet e ardhshme.
Nëse Alvarez nuk bëhet i arritshëm, drejtori sportiv Deco dhe trajneri Hansi Flick do të duhet të përcaktojnë nëse do të ndjekin një tjetër opsion për repartin e sulmit.
Mes alternativave të përfolura ditët e fundit janë Lautaro Martinez, Mikel Oyarzabal, Luis Suarez dhe Viktor Gyokeres.
Deri tani, Barcelona nuk ka bërë ndonjë hap konkret për asnjërin prej tyre, pasi e ardhmja e Alvarezit vazhdon të mbetet e pasqaruar.
Një skenar tjetër është që klubi të heqë dorë nga ideja për të afruar një qendërsulmues të ri.
Në një rast të tillë, Flick mund të mbështetet te futbollistët që ka aktualisht në dispozicion dhe t’i vendosë në rolin e “false nine”. Lamine Yamal, Dani Olmo, Raphinha, Karim Adeyemi dhe Anthony Gordon janë ndër emrat që mund të përdoren në këtë pozicion.
Barcelona po ndjek me vëmendje edhe talentet e rinj Abdelkarim dhe Bisiwu, të cilët kanë spikatur gjatë fazës përgatitore dhe kanë dëshmuar se mund të jenë të dobishëm edhe në aspektin e shënimit të golave.
Gjithsesi, në qendër të vëmendjes vazhdon të jetë Julian Alvarez. Kjo javë pritet të tregojë nëse argjentinasi do të jetë pjesë e Barcelonës apo nëse katalunasit do të detyrohen të rikthehen te një objektiv tjetër.
