Barcelona firmos me talentin brazilian, i vendos klauzolë 500 milionë euro

Nuk është vetëm një goditje, që lidhet me të ardhmen, por tregon forcën e klubit katalanas në tregun e transferimeve, pavarësisht problemeve të theksuara financiare. Barcelona ka njoftuar zyrtarisht sigurimin e shërbimeve të Vitor Roque, sulmuesit brazilian 18-vjeçar.

I riu i lindur në vitin 2005 vjen nga Athletico Paranaense, një skuadër që e mori atë nga Cruzeiro një vit më parë. Në fund të marsit 2023, braziliani debutoi me kombëtaren e madhe braziliane kundër Marokut, duke u bërë kështu më i riu që e vesh fanellën e “Seleçao” në shekullin e 21-të (pak më shumë se 18 vjeç).

Emri i tij, megjithatë, është bërë i njohur për klauzolën e lirimit që Barcelona do t’i vendoste në kontratë. Më herët flitej për 1 miliard euro, por me zyrtarizimin e marrëveshjes ditën e sotme, kjo shumë është 500 milionë euro, pra gjysma.

Vitor Roque ka firmosur për blaugranat deri në vitin 2031, ndërsa Athletico Paranaense merr 30 milionë euro pagesë fikse, plus 26 milionë të tjera pas arritjes së objektivave të caktuara nga talenti brazilian. Për më tepër, siç njofton Barcelona, ​​klauzola e lirimit nuk është 1 miliard euro, por 500 milionë. Një shifër ende shumë e madhe për një 18-vjeçar.


Shtuar 12.07.2023 18:23