Barcelona e ndjek Marcus Rashford, Flick e pëlqen shumë, por marrëveshja mbetet e komplikuar

Pavarësisht se Barcelona është shumë pranë transferimit të Nico Williams nga Athletic Bilbao, trajneri Hansi Flick mbetet një admirues i madh i Marcus Rashford, raportoi sot Marca.

Rashford ofron më shumë fleksibilitet në repartin ofensiv, pasi mund të luajë në të gjitha pozicionet e sulmit, ndryshe nga Williams, i cili është më i përshtatshëm për krahun e majtë.

Për këtë arsye, Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit anglez këtë verë, në përpjekje për të përmbushur kërkesat e Flick.

Megjithatë, një marrëveshje me Manchester United nuk do të jetë aspak e lehtë. Klubi anglez preferon ta shesë përfundimisht Rashfordin, ndërsa Barcelona po synon një huazim me të drejtë blerjeje.

Një tjetër pengesë është paga e lartë e Rashford, i cili aktualisht përfiton rreth 430 mijë euro në javë – një shifër që Barcelona nuk mund ta mbulojë për shkak të kufizimeve të Fair Play Financiar.

Gjithsesi, raportet nga Anglia sugjerojnë se lojtari është i gatshëm të pranojë një ulje page për të bërë të mundur transferimin në “Camp Nou”.


Shtuar 25.06.2025 23:44