Vështirësitë ekonomike janë evidente edhe te Barcelona, që po punon për të ulur shpenzimet dhe njëkohësisht për të përforcuar organikën me sa më pak para.
Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e klubit katalanas kanë vënë në fokus futbollistët pa kontratë dhe pak ditë më parë prezantuan dy futbollistë të ardhur me parametra zero nga Manchester City, Sergio Aguero dhe Eric Garcia.
Por nuk mbyllet me kaq, pasi mediat spanjolle raportojnë se klubi katalan ka arritur marrëveshjen edhe me sulmuesin holandez Memphis Depay, i cili është gjithashtu një futbollist i lirë dhe do t’i bashkohet Barcelonës me parametra zero.
Depay ka një lidhje shumë të fortë me trajnerin Ronald Koeman dhe kjo ka luajtur një rol vendimtar për të zgjedhur Barcelonën, ndërsa prezantimi zyrtar mund të vijë brenda ditës së nesërme, para se të ulet sipari i Kampionatit Europian.
E ndërkohë që shtohen futbollistët e rinj, drejtuesit e klubit kanë përpiluar edhe një listë me lojtarët që do të provohet të shiten gjatë merkatos së verës, pasi nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit Koeman.
Miralem Pjaniç, Samuel Umtiti, Junior Firpo, Martin Braithwaite, Philippe Coutinho dhe Matheus Fernandes janë futbollistët që kanë përfunduar jashtë projektit të ri të klubit katalanas dhe pritet të largohen këtë verë.
Përveç tyre, nga “Camp Nou” mund të largohet edhe portieri Neto, që dëshiron një klub ku të luajë titullar, por edhe emra si Griezmann, Sergi Roberto, Sergino Dest, Ousmane Dembele, Trincao, Emerson Royal apo Riqui Puig mund të sakrifikohen nëse vjen një ofertë e leverdisshme për klubin.
Presidenti Laporta e ka pranuar tashmë se situata ekonomike nuk është aspak e mirë dhe për të dalë nga kjo gjendje ka nevojë për një revolucion, ku do të synohet të shiten sa më shumë futbollistë me paga të larta dhe të afrohen të rinj të talentuar, apo të tjerë me parametra zero.