Barazimi me Torinon, Chiellini: Juventusi i fokusuar për një vend në Champions

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini ka deklaruar se Juventusi tani duhet të fokusohet të arrijë një vend në Ligën e Kampionëve.

Giorgio Chiellini zhvilloi një paraqitje të mirë në partneritet me Matthijs de Ligt, veterani italian madje shpëtoi skuadrën nga humbja pasi asistoi në golin e dytë të Cristiano Ronaldos.

Juventus dhe Torino u ndanë baras në “Derby della Mole”, pas kesaj ndeshje, “Bianconerët” mbeten jashtë katër vendeve të para dhe rrezikojnë edhe kualifikimin në Ligën e Kampionëve.

Por pas ndeshjes, Chiellini u shpreh optimist duke folur për “DAZN”.

“Ne kemi bërë disa gabime që nuk mund t’i bësh në këtë nivel”, tha ai.

“Është vërtetë për të ardhur keq, sepse kur kishim mundësinë për ta rikthyer ndeshjen, nuk rrezikuam shumë por krijuam shumë raste”, shtoi ai.

“Ne duhet të fokusohemi në të ardhmen dhe të përpiqemi të bëjmë më të mirën në mënyrë që të mund të arrijmë një objektiv të rëndësishëm për ne, një vend në Ligën e Kampionëve. Ne gjithashtu jemi në finale Coppa Italia”, tha Chiellini.

“Jam i befasuar nga thashethemet për të ardhmen time. Nuk është problem dhe sigurisht nuk është diçka për të cilën po diskutojmë tani. Unë ende nuk kam marrë një vendim dhe jam plotësisht i përqendruar në të tashmen”, përfundoi Giorgio Chiellini.


Shtuar 4.04.2021 10:26