Atletico Madridi ka zbutur qëndrimin e tij për të ardhmen e Julian Alvarezit dhe tashmë është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e sulmuesit argjentinas, por vetëm nëse destinacioni i tij është Arsenali dhe jo Barcelona.
Të lidhura
None found
Sipas Mundo Deportivo, klubi madrilen e konsideron situatën rreth Alvarezit gjithnjë e më të vështirë, pasi lojtari ka shprehur qartë dëshirën për t’u larguar, si në deklaratat publike, ashtu edhe brenda ambienteve të klubit.
Pavarësisht kësaj, Atletico vazhdon të kundërshtojë në mënyrë kategorike transferimin e tij te Barcelona.
Arsenali, që e ndjek prej kohësh 26-vjeçarin, mund t’i propozojë klubit spanjoll një marrëveshje ku përfshihet Viktor Gyokeres, i cili është vënë në dispozicion të disa skuadrave. Diego Simeone thuhet se do ta shihte me kënaqësi sulmuesin suedez si pasues të Alvarezit.
Megjithatë, vetë Alvarez nuk duket se e dëshiron rikthimin në Angli. Raportohet se argjentinasi synon të transferohet te Barcelona dhe tashmë ka refuzuar mundësinë për t’u rikthyer në futbollin anglez.
Barcelona e konsideron ende Alvarezin prioritetin kryesor për repartin ofensiv dhe kërkon ta mbyllë marrëveshjen përpara përfundimit të afatit kalimtar.
Ndërkohë, Atletico Madridi duhet të marrë një vendim të ndërlikuar: klubi është gati të heqë dorë nga ylli i tij, por koha në dispozicion për të siguruar një zëvendësues të denjë është shumë e kufizuar.
