Atletico e Madridit komplikon gjithmonë e më shumë rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit kampion, pasi ka pësuar një tjetër humbje, këtë herë në mënyrë befasuese në “Wanda Metropolitana” ndaj Mallorcës.
Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone vuajti jo pak për të zhbllokuar ndeshjen, por ia doli të marrë avantazhin me anë të brazilianit Cunha në minutën e 64-t. Megjithatë më pas lëshoi ndjeshëm ndeshjen dhe i dha mundësi Mallorcës që të bëjë surprizën e madhe.
Në minutën e 80’ miqtë gjetën golin e barazimit me anë të Russo, ndërsa në shtesë ishte japonezi Kubo që gjeti edhe golin e dytë, duke bërë që në “Wanda Metropolitana” të pllakosë heshtja.
Me këtë humbje Atletico mbetet në kuotën e 29 pikëve, plot 7 më pak se Reali kryesues, distancë kjo që mund të rritet edhe më shumë, duke qenë se Los Blancos përballen sonte me Real Sociedad.