Asllani është gati, projektohet titullar në fundjavë ndaj skuadrës që e kërkonte me ngulm në merkato

Kristjan Asllani e ka parë nga TV ndeshjen që skuadra e tij e re, Torino, luajti këtë fundjavë ndaj skuadrës së tij të vjetër, Interit. Por që nga kjo javë, ai do të ketë rol si protagonist në fushën e lojës me ekipin torinez, pasi projektohet që të jetë menjëherë titullar në rreshtimin e skuadrës.

Puna që e pret është e madhe, pasi Torino u duk në gjendje të mjerueshme në humbjen 5-0 që pësoi përballë zikaltërve, duke dhënë rrallëherë shenja jete e ideje loje.

Por trajneri Marko Baroni ka bërë të qartë se gjërat do të ndryshojnë nga kjo javë dhe ndryshimi i parë është pikërisht aktivizimi i Asllanit.

Sipas mediave italiane, Baroni i ka bërë një vend në ekip lojtarit në ndeshjen e të dielës ndaj Fiorentinës, si për ironi të fatit një prej skuadrave të tjera që e ndiqte me shumë interes futbollistin dhe e kishte kërkuar në radhët e saj.

Kësisoj, Asllani do të ketë mundësinë të tregojë se sa vlen, për më tepër përballë publikut vendas në një sfidë që do të jetë padyshim shumë interesante.


Shtuar 28.08.2025 18:19