Mundësia që Vinicius Junior të transferohet tek Arsenali po zbehet, ndërsa sulmuesi brazilian është gjithnjë e më afër vazhdimit të aventurës së tij me Real Madridin.
Të lidhura
None found
Në Madrid ka besim se marrëveshja për rinovimin e kontratës së 26-vjeçarit do të arrihet. Për këtë arsye, “Topçinjtë” kanë nisur të përqendrohen te kandidatë të tjerë për forcimin e repartit sulmues.
Edhe tentativa për Morgan Rogers nuk pati sukses, pasi ai vendosi t’i bashkohej Chelseat. Tashmë, trajneri Mikel Arteta dhe drejtuesit e Arsenalit po vlerësojnë alternativa të tjera për krahun e majtë të sulmit.
GOAL ka përzgjedhur dhe renditur tetë futbollistët që shihen si opsionet kryesore për klubin londinez.
8. Mika Godts (Ajax)
Belgu 21-vjeçar spikati gjatë sezonit me Ajaxin, duke realizuar 17 gola dhe duke dhënë 12 asistime në kampionat. Sidoqoftë, mungesa e përvojës së gjerë në nivelin më të lartë e bën afrimin e tij një zgjedhje më të rrezikshme.
7. Luis Diaz (Bayern Munich)
Sezonin e kaluar, kolumbiani u rendit mes anësorëve më të spikatur në Evropë. Një kalim tek Arsenali mbetet tepër i komplikuar, sepse Bayerni nuk synon ta shesë, ndërkohë që për të interesohet edhe Al-Hilal.
6. Rafael Leao (AC Milan)
Reprezentuesi portugez vazhdon të konsiderohet ndër sulmuesit më të talentuar të Serie A. Raportohet se Milani mund të pranojë largimin e tij për afro 50 milionë euro, por luhatjet në paraqitjet e tij ngrenë ende dyshime.
5. Kenan Yildiz (Juventus)
Arsenali e ka ndjekur prej kohësh talentin turk. Juventusi nuk planifikon ta nxjerrë në shitje dhe, sipas raportimeve, do të merrte në shqyrtim vetëm propozime që kalojnë shifrën e 100 milionë eurove.
4. Marcus Rashford (Manchester United)
Rashford është kthyer te United pas periudhës së suksesshme si i huazuar te Barcelona. Një çmim i favorshëm mund ta bëjë atë një mundësi joshëse, por rivaliteti ndërmjet klubeve angleze dhe paga e tij e lartë përbëjnë pengesa serioze.
3. Nico Williams (Athletic Bilabao)
Futbollisti spanjoll mbetet prej kohësh në planet e Arsenalit. Klauzola e lirimit, me vlerë 90 milionë euro, e bën të mundur realizimin e marrëveshjes, ndonëse dëmtimet që pësoi sezonin e kaluar kanë shkaktuar pikëpyetje.
2. Bradley Barcola (Paris Saint-Germain)
Francezi vlerësohet si një prej anësorëve më të mirë të futbollit evropian. Paris Saint-Germain kërkon rreth 170 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa interes për shërbimet e lojtarit ka shfaqur edhe Liverpooli.
1. Eli Junior Kroupi (Bournemouth)
Në vendin e parë të listës qëndron sulmuesi francez. Paraqitjet mbresëlënëse me Bournemouthin gjatë sezonit e kanë kthyer atë në një investim të përshtatshëm si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. Megjithatë, klubi anglez kërkon më shumë se 110 milionë funte për ta lejuar të largohet.
Francezi, i cili sapo ka festuar 20-vjetorin, në disa qarqe është etiketuar tashmë si “Thierry Henry i ardhshëm”. Legjenda e Arsenalit ishte shpesh shkatërruese kur aktivizohej nga krahu i majtë, veçanërisht gjatë periudhës së tij te Barcelona. /Telegrafi/
