Specialistë futbolli ka kudo në botë, por specialistët në Shqipëri janë të një tjetër niveli. Analizat e tyre bien shpesh në kundërshti, ndërsa në kohën kur Silvinjo shpalli listën, u erdhi mundësia e parë që në momentin kur trajneri firmosi te Shqipëria, për ta kritikuar atë.
Shumë edhe në lidhje me Armando Brojën, që sado çmenduri duket, ka ende opinionist që nuk e duan në ekip. Nga ana tjetër ata thonë se Silvinjo la jashtë një lojtar të La Liga-s dhe merr një tjetër nga Emiratet e Bashkuara Arabe apo Korea, por kërkonin që të mbetej jashtë një lojtar i Premier League, kampionati më i fortë në botë.
Po, Armando Broja nuk ka luajtur me Fulham, por mediat britanike tregojnë se janë të shumta ekipet e Premier League që e kërkojnë në skuadër në merkaton e verës. A thua të jenë njerëz kaq pa ide në Angli dhe ne në Shqipëri të shohim kaq larg? Vështirë!
Broja i tregoi vlerat e tij edhe në miqësoren e fundit. Thuajse asnjë shërbim nuk erdhi për të, merrte topin nga gjysmëfusha, fillonte “të tallej” me kundërshtarët dhe në fund arriti të shënonte gol. Por sërish disa do të thonë se po luanim kundër Lihtshtejnit, por pyetja është, lojtarët e tjerë, a nuk po luanin kundër të njëjtit ekip?
Përshembull, Rei Manaj u hodh në fushë në pjesën e dytë dhe vjen me një CV të pasur, me lumë golash nga Turqia. Por po humbiste cdo duel kundër mbrojtësave të Lihtshtejnit. Pra, nuk ka rëndësi nëse luajmë kundër San Marinos, Maltës apo Italisë, Armando Broja, edhe me një këmbë, është lojtari më i mirë që ka pasur Shqipëria në histori.
Armando Broja është lojtari që edhe me një këmbë i merrte vendin Jackson të formës më të mirë te Chelsea apo Aubemayang. Inatet personale janë të një diskutimi tjetër, që nuk lidhen me të mirën e Kombëtares, faktet janë këto.
Në një intervistë të fundit të Brojës për emisionin Koha Shtesë, kemi folur me sulmuesin edhe sa i përket emocioneve të tij në lidhje me ndeshjet e Kombëtares, ato që i ka parë si tifoz. Broja ka treguar ndeshjet që i ka parë më me shumë emocion dhe që ka dashur të futet nga televizori për të hyrë në fushë.
“Ka qenë një ndeshje që e kam si parë tifoz dhe doja të hyja nga televizori në fushën e blertë. Është ndeshja e Europianit ku ka bërë gol Sadiku, e kam parë nga televizori dhe doja shumë që të isha në fushë. Në fakt i kam parë me shumë emocion të gjitha ato ndeshjet e Shqipërisë në Europianin e Francës dhe do të doja shumë që t’i luaja”, ka thënë Broja.