Sipas tabloidit britanik “The Sun”, sulmuesi shqiptar Armando Broja është në bisedime me katër klube evropiane, ndërsa po synon një largim të plotë nga Chelsea gjatë merkatos së verës.
Broja, i cili ka qenë i huazuar më parë te Southampton, Fulham dhe Everton, nuk ka arritur të konsolidohet në “Stamford Bridge” për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme, përfshirë një dëmtim të rëndë të tendinit të Akilit dhe më vonë një tjetër problem serioz në kyçin e këmbës.
Në sezonin 2024/25, ai luajti vetëm katër ndeshje si titullar në Premier League, duke e thelluar edhe më tej stanjacionin në karrierën e tij.
Klubet e interesuara për Brojën janë AC Milan, Ajax Amsterdam, PSV Eindhoven, RB Leipzig.
Bisedimet me këto klube janë në zhvillim e sipër, ndërsa Chelsea është i gatshëm ta shesë sulmuesin për rreth 20 milionë paund (rreth 27 milionë dollarë), një shumë që do të përfaqësonte fitim të pastër për klubin londinez, pasi Broja është produkt i akademisë së tyre.
Broja, i cili ka zhvilluar 25 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, ka bërë vetëm 38 paraqitje me ekipin e parë të Chelseat, duke shënuar tre gola, ndërsa nuk arriti të gjejë rrjetën gjatë periudhave të tij të huazimit te Fulham dhe Everton.
Sulmuesi 22-vjeçar është i etur të bëjë hapin e madh të karrierës, me qëllimin për të ringjallur rrugëtimin e tij futbollistik, që ka ngecur për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme.