Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare”, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.
Ekipi kombëtar ka nisur përgatitjet zyrtare prej ditës së hënë, teksa tashmë trajneri Silvinjo ka në dispozicion të gjithë ekipin.
Arbër Hoxha foli për ndeshjen e radhës, duke theksuar se kundërshtari është i një niveli të lartë vështirësie.
Megjithatë, ai u shpreh se Kombëtarja do të futet në fushë për të dhënë maksimumin dhe për të marrë tri pikët.
Kundërshtari? – Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka shumë cilësi. Do të japim maksimumin. Po përgatitemi dhe po punojmë shumë mirë dhe shpresojmë e besojmë që do ta fitojmë ndeshjen.
A ka ngarkesë më shumë kjo ndeshje? – Jo, ne jemi profesionistë, do të bëjmë pjesën tonë në fushë. Normal që është pak ndeshje emocionale, nuk diskutohet. Por ne jemi profesionistë dhe do të bëjmë më të mirën në fushë.
Sa besoni te kualifikimi në Botëror? – Kjo ndeshje është e vështirë dhe besoj që vendos për një vend “play-off” për në Botëror. Shpresojmë që do të fitojmë ndeshjen dhe të kemi shpresë në Botëror.
Konkurrenca brenda ekipit? – Konkurrenca të bën më të fortë, jemi në Kombëtare, sado minuta që të kemi, do të japim më të mirën. Do të japim maksimumin.
Ndeshja me Serbinë në vitin 2014? – Kam qenë i vogël në atë kohë dhe e kam shikuar atë ndeshje. Ka qenë shumë emocionale, jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Hysaj na tregon edhe tani për historinë atje. Ne duhet të futemi në fushë dhe të bëjmë më të mirën për të fituar ndeshjen.
Do e pranoje të fitonim me Serbinë dhe të humbnim me Letoninë? – Po, do e pranoja.