Anthony Martial rrezikon të mos luajë më përsëri për Man United – zbulohet aryseja pse

Anthony Martial mund të mos luajë më përsëri për Manchester United, në rast se i nënshtrohet një operacioni në kofshë, ashtu siç po spekulohet kohëve të fundit.

Në kushte normale, një person që i nënshtrohet një operacioni të tillë, i duhen rreth 2 muaj kohë për t’u rikuperuar plotësisht.

Sipas ESPN, Martial momentalisht është në bisedime me stafin mjekësor të klubit nëse duhet a po jo që t’i nënshtrohet operimit.

Në rast se vendimi përfundimtar merret që operacioni të bëhet, atëherë ka një mundësi të madhe që ai të mos luajë më këtë sezon.

Paraqitja e fundit e francezit për Manchester Unitedin erdhi në humbjen me rezultat 3-0 ndaj Bournemouthit më datë 9 dhjetor, dhe që nga atëherë ka pasur thashetheme se ai është përjashtuar nga Erik Ten Hag dhe po stërvitet individualisht.

Agjenti i tij, Phillipe Lamboley, sidoqoftë, e mohoi këtë, duke shtuar se klienti i tij mund të detyrohet t’i nënshtrohet një ‘operacioni të vogël’.

Martial ka shënuar vetëm dy gola këtë sezon dhe ishte raportuar se ai ka tërhequr interesim të madh nga gjiganti turk Fenerbahce më herët gjatë këtij muaji./Telegrafi/


Shtuar 20.01.2024 21:55