Anthony Martial tashmë ka tri oferta në tavolinë vetëm disa ditë pasi i dha lamtumirën Manchester Unitedit.
Më herët gjatë kësaj jave, Martial konfirmoi se ai do të largohet nga Unitedi këtë verë pas skadimit të kontratës së tij, duke i dhënë fund aventurës nëntëvjeçare në ‘Old Trafford’.
Paraqitja e fundit e francezit me fanellën e ‘Djajve të Kuq’ erdhi më 9 dhjetor të vitit 2023, në humbjen me rezultat 3-0 ndaj Bournemouthit.
Martiali iu bashkua Unitedit nga Monaco në shtator të vitit 2015 për 36 milionë euro dhe shënoi 90 gola përgjatë 317 ndeshjeve të luajtura në të gjitha garat, duke fituar Carabao Cup, FA Cup dhe Ligën e Evropës.
Sky Sports ka raportuar se Marseille, Besiktas dhe Lyoni, janë tri klube të cilat kanë shprehur interesim për shërbimet e Martial.
Martial dështoi që të qëndrojë i shëndetshëm, pasi është paraqitur në vetëm 13 ndeshje në Ligën Premier sezonin që lamë pas për shkak të një serie lëndimesh.
“Po iu shkruaj me një emocion të madh sot për të iu thënë lamtumirë. Pas nëntë viteve të jashtëzakonshme në klub, ka ardhur koha për mua që të shfletoj një faqe të re në karrierën time”.
“Manchester United do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Ky klub ka lënë shenja në karrierën time dhe më ka dhuruar mua një mundësi të jashtëzakonshme për të luajtur përballë jush”, ka thënë Martial pasi njoftoi njoftimin e tij. /Telegrafi/