Ancelotti thotë se Guler është një nga lojtarët kryesorë të Real Madridit, tregon planin që ka për turkun

Arda Guler ka fituar trofeun e tij të parë me Real Madridin, teksa madrilenët mposhtën Barcelonën me rezultat të thellë 4-1 në finalen e Superkupës së Spanjës.

Mesfushori turk mbeti në bankën rezervë gjatë tërë ndeshjes, pasi Carlo Ancelotti vendosi që të mos e aktivizoj atë.

Deri më tani 18-vjeçari është paraqitur në dy ndeshje për Los Blancos. Debutimi i tij erdhi ndaj Arandinas në Kupën e Mbretit si dhe më pas ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinale të Superkupës, ku u paraqit për tetë minuta lojë.

Ani pse mjaft i ri në moshë, Ancelotti ka insistuar se Guler është tashmë njëri ndër lojtarët më të rëndësishëm në ekipin e tij.

“Arda Guler është njëri ndër lojtarët tonë më të rëndësishëm. Ai është rikthyer nga një lëndim i madh, kështu që do të fillojë të tregojë veten së shpejti dhe do të marr më shumë minuta. Ne kemi besim tek ai”, ka thënë tekniku italian.

Guler u transferua në Madrid në korrikun e vitit të kaluar për shumën e 20 milionë eurove nga gjiganti turk Fenerbahce.

Për të siguruar shërbimet e tij, Real Madridi mposhti konkurrencën e disa klubeve të mëdha si Milan dhe Barcelona./Telegrafi/


Shtuar 15.01.2024 20:02