Ancelotti pritet të bëjë një ndryshim të madh në formacion për finalen ndaj Barcelonës

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është bërë gati për të bërë një ndryshim të madh në formacion për finalen ndaj rivalit të përbetuar Barcelonës.

“Los Blancos” e siguruan kalimin në finale pasi mposhtën fqinjin Atletico Madrid me rezultat 5-3 pas vazhdimeve, ndërsa Barcelona mori një fitore komode 2-0 ndaj Osasunës.

Tekniku italian futi në fushë një formacion mjaft të fortë ndaj Atleticos, duke i rikthyer në formacion lojtarët si Aurelien Tchouameni dhe Ferland Mendy.

Një vendim i Ancelottit që befasoi të gjithë, ishte ai i lënies në bankë të Toni Kroos, përkundër rolit të madh që ai luan në ekip.

Por tani, sipas gazetarit Miguel Angel Diaz nga mediumi El Golazo de Gol, Ancelotti do ta nis ndeshjen me Kroos si startues në finalen e Superkupës ndaj Barcelonës.

Kësisoji, Kroos do të rikthehet në formacionin startues duke zëvendësuar bashkëlojtarin e tij Luka Modric.

“Më duhej të startoja me Modric pasi Kroos kishte disa shqetësime dhe kishte stërvitur për vetëm dy ditë”, kishte thënë Ancelotti për vendimin për të startuar me Modric.

Një tjetër pozicion që po i shkakton ‘kokëdhembje’ Ancelottit është edhe ai i portierit.

64-vjeçari do të duhet të zgjedh mes Kepa Arrizabalagas dhe Andriy Lunin, ani pse momentalisht ky i pari po llogaritet si favorit i lehtë karshi ukrainasit./Telegrafi/


Shtuar 13.01.2024 20:04