Carlo Ancelotti ka konfirmuar se Neymar nuk do të jetë më pjesë e Kombëtares së Brazilit. Në një intervistë për CNN, përzgjedhësi italian tha se ylli brazilian nuk ka ndërmend të rikthehet në të ardhmen te përfaqësuesja.
Të lidhura
None found
Sipas Ancelottit, vetë Neymar ia ka bërë të ditur këtë qëndrim, ndonëse trajneri mendon se ai e meritonte të luante në Kupën e Botës për shkak të nivelit dhe cilësive që zotëron.
“Për cilësinë e tij, ai e meritonte të ishte në Kupën e Botës. Neymar e ka konfirmuar tashmë se nuk dëshiron të rikthehet në ekipin kombëtar. Ai nuk mund të zëvendësohet, pasi ishte një talent i jashtëzakonshëm dhe unik. Është një lojtar i pazëvendësueshëm”, deklaroi Ancelotti.
Pas mbylljes së kapitullit të Neymarit me Brazilin, trajneri do të përqendrohet te futbollistët e rinj, të cilët pritet të marrin gradualisht më shumë hapësirë dhe përgjegjësi në përfaqësuese.
Ancelotti theksoi se procesi duhet të zhvillohet me kujdes dhe hap pas hapi, duke vlerësuar lojtarët e lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2006. Ai përmendi gjithashtu futbollistë të lindur në vitin 2008, të cilët kanë cilësi, por ende nuk po aktivizohen, ndërsa mund ta bëjnë këtë në të ardhmen. Sipas tij, mosha duhet respektuar, pasi një futbollist mund të paraqitet në nivel të lartë edhe në moshën 36 ose 37 vjeç, por aktualisht përparësi duhet t’u jepet të rinjve.
Neymar e mbyll aventurën me fanellën verdhejeshile pas një periudhe të jashtëzakonshme. Në total, ai ka zhvilluar 130 ndeshje me Brazilin, ka shënuar 80 gola dhe ka dhënë 59 asistime.
Gjatë përfaqësimit të Brazilit, Neymar fitoi Kupën e Konfederatave në vitin 2013 dhe u rendit ndër futbollistët më të rëndësishëm në historinë e kombëtares së vendit.
