Ancelotti: City të bën të vuash kur ka topin në zotërim, kualifikimi vendoset në Bernabeu

Real Madrid ka udhëtuar në “Etihad” për t’u përballur me Manchester Cityt, takim i vlefshëm për gjysmëfinalen e Champions League.

Në konferencën për shtyp, trajneri i madrileneve, Carlo Anceloti theksoi se kjo është një ndeshje shumë e vështirë pasi përballë do të kenë një nga skuadrat më të mira.

“Nëse nuk kemi kontakt me topin sigurisht do vuajmë. Nesër aspekti mbrojtës zë një pjesë të rëndësishme të lojës. Ka raste kur City do e ketë topin. Është shumë e thjeshtë, nëse e kanë ata, duhet të mbrohesh dhe të përpiqesh ta rikuperosh topin, qoftë me presing lart, të mesëm apo të ulët. Shpresojmë të dalim mirë”.

Historia që ka Real Madrid në këtë kompeticion do të thotë shumë për ne, më shumë se për rivalët tanë. Kjo histori, që është rritur gjatë gjithë këtyre viteve, i ndihmon lojtarët të ndjejnë peshën e fanellës. Është pozitive, jo negative.

Presioni është i ngjashëm, ka shumë presion. Për Realin zakonisht nuk është një sukses që të arrijë në gjysmëfinale. Duam të arrijmë në finale, që është një sukses. Ky është objektivi. Nëse arrin, pastaj Real Madrid ka më shumë shanse për të fituar”.

“Thuhej se Reali nuk është për Europën? Më kujtohet çfarë thuhej. Kështu mendonin mediat dhe opinioni publik. Janë dy skuadra në gjysmëfinale, që askush nuk mendonte se do vinin këtu. Jemi ne dhe Villarerali. Arritëm këtu dhe jemi shumë të lumtur. Reali gjithmonë do të jetë konkurrues”.

“Nuk vendoset nesër ekipi që kualifikohet. Gjithçka do të mbyllet në ndeshjen e dytë, në Bernabeu. Dilema që kam është nëse do të luaj me dy apo me tre sulmues. Rodrygo po bën mirë, Camavinga po ashtu. Të dy kanë sjellë shumë energji në skuadër, ndaj kam dilemat e mia.

Atmosfera është e mirë, është lloji i ndeshjes që lojtarët duan ta përgatitin dhe ta luajnë. Mendy është, por kemi dyshime për Alaba e Casemiro. Besojmë se austriaku do të jetë, kurse braziliani e ka më të vështirë. Nëse nuk kthehet, do jetë për ndeshjen tjetër”.

“Duhet të luajmë mirë për kualifikimin. Meqë tani nuk është më rregulli i golit të fushës, çështja e kualifikimit është më e hapur. Duhet të kemi parasysh që janë 180 minuta. Ka një ndjenjë lumturie normalisht, pasi jemi shumë pranë finales së kompeticionit më të rëndësishëm në botë, dhe një ndjenjë shqetësimi sepse kemi një ekip shumë të fortë përballë. Gjatë Champions kemi pasur shumë rivalë të vështirë. Në fillim ata ishin favoritë për të fituar kompeticionin. Na shkoi mirë dhe nesër do të luftojmë, pa asnjë dyshim”, ka përfunduar Carlo. /h.ll/albeu.com