Alphonso Davies te Real Madridi? Kanadezi thyen heshtjen dhe flet për të ardhmen e tij

Alphonso Daives ka thyer heshtjen e tij mes raportimeve se ai po kërkon të gjejë një rrugëdalje për t’u transferuar te Real Madridi.

Reprezentuesi kanadez ka kontratë me Bayern Munichun deri në vitin 2025, dhe kishte pasur thashetheme se ai ka hyrë në bisedime me Real Madridin pasi siç dihet klubi madrilen tash e një kohë është në kërkim të një mbrojtësi të majtë.

Hapa konkret thuhej se ishin bërë në këtë drejtim dhe se “Los Blancos” tashmë kishin bërë gjithçka gati për transferimin e tij sezonin e ardhshëm, sidoqoftë Davies i ka hedhur ‘në ujë’ të gjitha këto lajme.

Në një intervistë për mediumin gjerman Kicker, ai ka folur për planet e tij për të ardhmen, duke i dhënë fund polemikave.

“Unë ndihem shumë i qetë këtu. Unë luaj në një ekip të jashtëzakonshëm dhe një nga klubet më të mëdha në Evropë. Unë qëndroj i fokusuar dhe gati të jap gjithçka për ekipin dhe tifozët tanë”, ka thënë Davies.

Davies ishte akuzuar se lajmet lidhur me Real Madridin kanë ndikuar në performancat e tij në fushë dhe për këtë ka reaguar ashpër vet lojtari.

“Në 2020 askush nuk më kishte në listën e tyre të dëshirave, unë isha relativisht i panjohur dhe kam luajtur mirë. Pas asaj, pritshmëritë tek unë u rritën natyrisht. Ka shumë pak lojtar që arrijnë të luajnë mirë çdo ndeshje. Stili im ka ndryshuar paksa që atëherë, më pak driblime, më pak rrezik. Por, unë i kuptoj më mirë gjërat tani se sa e kam bërë katër vite më parë, kam më shumë eksperiencë, por jam ende i ri dhe dua të vazhdojë të mësoj dhe të përmirësohem”, është shprehur Davies.

/Telegrafi/