Alban Bushi: Me Kumbullën Brojën e të tjerët do ishim në Europian

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U21, para ndeshjes me Anglinë për kualifikueset e Euro 2023, ka dalë para mediave dhe fillimisht ka deklaruar: “Dua të them që ndeshja me Çekinë ishte nga ato ndeshjet më të mira në drejtimin tim si trajner i Kombëtares U-21. Ishte një ndeshje për kornizë, ne e kemi parë të gjithë ndeshjen me stafin tonë me detaje.

Nuk kemi gabuar në asgjë përsa i përket taktikës kolektive, por kemi bërë vetëm dy gabime individuale dhe gjuajtja e parë në portë e Çekisë ka ardhur në minutën e 81-të. Pra, dominuam ndeshjen, krijuam volum loje, krijuam raste, por fati nuk ishte me ne. Thonë që fati është me më të fortin, por kësaj radhe ishte me ata që nuk dhanë aq për ta fituar ndeshjen”.

“Ndeshja kundër Anglisë? Patjetër që do të luajmë mirë. Kjo nuk diskutohet fare, ekipi tashmë e ka një fizionomi loje, megjithëse kemi edhe mungesa edhe këtë radhë. Na mungojnë tre lojtarë nga ndeshja me Çekinë, kishim edhe përpara asaj ndeshjeje, por u shtuan akoma edhe më shumë.

Muçi me tre kartonë të verdhë, Ismajlgeci i dëmtuar me Çekinë dhe Kraja gjithashtu i dëmtuar. Nuk kemi shumë alternativa, por gjithsesi, lojtarët që do të aktivizohen, e dinë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë. Ata e dinë se çfarë kundërshtari kemi përballë, e dinë se pse nuk duhet të shkojmë aty ku ata kanë armët e tyre më të forta.

Nuk duhet t’u lëmë shumë hapësira, nuk duhet të luftojmë 1 me 1 me ata sepse janë të fortë. Duhet të luajmë shpejt dhe me pasime të shkurtra, të shpejta dhe të shtyjmë sa më shumë 0-0 për t’ia bërë jetën sa më të vështirë anglezëve. Shqipëria ka një brez shumë të mirë. Nuk dua të aludoj, por nëse do të kishim Kumbullën, Brojën, Bajramin, Asllanin dhe këta lojtarë që na mungojnë, ne patjetër që do ta përballonim Anglinë dhe do të ishim aty-aty, kjo nuk diskutohet fare.

Nëse ne do të kishim ata lojtarë që unë i përmenda pak më parë, edhe në Slloveni, edhe në Kosovë dhe me Çekinë, nuk do të diskutohej fare që do të ishim në Europian. Ne na penalizon shumë ndeshja në Slloveni që u dëmtuam, kur Muçi nëse do ta shënonte atë penallti që në minutë të dytë, do të ishim ne në avantazh.

Na penalizoi shumë ndeshja në Kosovë, kur ishim 1-0 për ne, duhet ta mbyllnim pjesën e parë 3-0 ose 4-0. Dua të them që fati është shumë vendimtar në futboll, pra duhet të kesh shumë fat. Është ajo shprehja që thonë njerëzit e sportit, “shtyllë jashtë, shtyllë brenda” shtyllë jashtë – je i keq, shtyllë brenda – je i mirë. Ne kemi vajtur deri te shtylla, por gjëja që na ka penalizuar ne është lojtarët që kanë shkuar te Kombëtarja A”. /h.ll/albeu.com


Shtuar 28.03.2022 18:50