‘Air Albania’ i zënë, por Tirana – Laçi nuk luhet as në ‘Selman Stërmasi’

Tirana do të presë Laçin ditën e hënë për të luajtur ndeshjen e javës së 25-të të Superiores. Bardheblutë kërkojnë me çdo kusht të bëjnë autokritikë pas derbit e të rikthehen te fitorja në kampionat.

Megjithatë, ende nuk është zyrtarizuar stadiumi që do të mbarëvajë sfidën. Air Albania do të jetë i zënë pasi aty do të luajë Shqipëria U17 për vajza në të njëjtën ditë. Nga ana tjetër ‘Selman Stërmasi’ vijon të jetë në kushte të mjerueshme dhe terreni nuk është i përshtatshëm për të luajtur në nivelin më të lartë.

Sipas të gjitha gjasave, Tirana do të rikthehet të luajë në ‘Elbasan Arena’. Ky impiant do të jetë bosh në fundjavë pasi Elbasani luan në transfertë me Bylisin dhe në këtë mënyrë kryeqytetasit do të presin atje Laçin.

Ende asgjë zyrtare nga klubi, por sot ose nesër do të qartësohet gjithçka për axhendën e kësaj ndeshje. /newsport.al/


Shtuar 23.02.2024 10:01