“Ai është shoku më i mirë në skuadër”, askush te Spanja nuk i kupton fishkëllimat në drejtim të Alvaro Moratas

Nëse ka një futbollist të dashur dhe të admiruar nga të gjithë brenda grupit të skuadrës aktuale spanjolle, ai është Alvaro Morata.

Shembull në çdo gjë që bën, për atë që kontribuon në skuadër, pasi ai ndihmon dhe ka gatishmëri totale dhe absolute për të qenë në krah të atyre që kanë nevojë, pavarësisht momentit apo rrethanave.

Pas ndeshjes përzgjedhësi Luis de la Fuente reagoi për vërshëllimat ndaj lojtarit, duke e bërë të qartë se marrëdhënia me sulmuesin shkon përtej asaj të një futbollisti të thjeshtë apo edhe të një kapiteni tipik.

“Më dhemb shpirti që në vendin tim fishkëllehet një lojtar i kombëtares. Më vjen turp. Santiago Bernabeu ka qenë i madh, por si spanjoll ndihem i turpëruar kur një lojtar nga Spanja fishkëllehet. Por shumica dërrmuese e ka mbështetur Spanjën”.

“Është detyrë e të gjithëve që të edukohen në mbështetje të kombëtares. Këtu duhet të lëmë mënjanë ngjyrat e klubeve dhe kjo është punë edhe për median. Le të shohim nëse së bashku mund ta zgjidhim këtë gjë”, ka thënë La Fuente.

Përzgjedhësi shprehu atë që ndjen grupi i kombëtares, i cili nuk e kupton arsyen pse fishkëllehej ndonjë lojtar, aq më pak Morata, kapiteni i secilit prej atyre që shkelin në fushë dhe luan për ekipin spanjoll, shkruan Marca.

Nuk është e re që tifozët spanjollë i fishkëllojnë Moratas, me fanellën e kuqe.

Episode të ngjashme kishin ndodhur edhe para Kampionatit Evropian gjatë pandemisë. Ajo që bëri Luis Enrique ishte të thoshte se ka Alvaro Moratan dhe dhjetë të tjerë në skuadër.

Ai e mbështeti në maksimum sulmuesin dhe përgjigja e tij ishte e madhe, duke e çuar Spanjën një hap larg finales.

“Nuk ka asnjë shok skuadre si ai”, thotë një nga lojtarët spanjoll që ishte në tubimin e fundit.

Shifrat e tij me kombëtaren nuk lënë vend për kritika, pasi ai në 71 ndeshje ka 34 gola. Ai është ndër golashënuesit më të mirë në histori, i pesti, një gol pas David Silvës. Lider është David Villa me 59 gola. /Telegrafi/


Shtuar 27.03.2024 20:07