Skuadra e Laçit ka zbuluar hollësi mbi lëndimin serioz të sulmuesit Olsi Myrta, i cili u dëmtua gjatë ndeshjes miqësore të luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” përballë Tiranës, takim që u mbyll në barazim 2-2. Goditja ishte aq e rëndë sa lojtari, një talent me vlerë tregu 500 mijë euro sipas platformës “Transfermarkt”, u detyrua të largohej nga terreni me barrelë.
“Lojtari ynë Olsi Myrta iu nënshtrua dje një operacioni në zonën e kyçit të këmbës, si pasojë e frakturës që pësoi në sfidën miqësore mes KF Tiranës dhe KF Laçit,” njoftoi klubi përmes një komunikate zyrtare.
Të lidhura
None found
“Ndërhyrja përfundoi me sukses dhe ne i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe një rikuperim të plotë. Të presim më të fortë se kurrë, kampion,” vijonte mesazhi i fundit i klubit kurbinas. Sipas protokolleve mjekësore, faza e parë e shërimit të kockës zgjat rreth 6 deri në 8 javë.
Më pas, nevojiten rreth 8 deri në 12 javë për t’iu rikthyer vrapimit dhe seancave stërvitore më kërkuese. Periudha 3-4 mujore përkon me rifillimin e stërvitjes së plotë me grupin, ndërsa rikuperimi total për një operacion të kësaj natyre, në varësi të kompleksitetit të frakturës, llogaritet të zgjasë nga 4 deri në 6 muaj, ku një rol të rëndësishëm luan edhe ecuria personale e fazës rehabilituese.
