Zjarri në Sazan, nis ndërhyrja nga ajri me avionin grek (VIDEO)

Ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit në Ishullin e Sazanit.

Shuarja e flakëve sot po bëhet me avionin që shteti grek e nisi për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë.

Kujtojmë se një ditë më parë, kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook tha se Shqipëria ka helikopterë Couger në gatishmëri, por nuk e shihnin të nevojshëm përdorimin e tyre për shuarjen e zjarrit. Ndërkohë sot ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi njoftoi se qeveria i ka bërë kërkesë Greqisë për një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit.

“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertet  vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri me sasi te madhe uji, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkroi sot Peleshi në Facebook.

Kujtojmë se zjarri në Sazan ka rënë prej ditësh, ndërsa dita e djeshme ka përfshirë sipërfaqe të mëdha. Gjithashtu u raportuan shpërthime në zonë që dyshohet të jenë të municioneve të vjetra që ndodhen atje.

Deri para se të mbërrinte helikopteri, për shuarjen e zjarrit janë përdorur mjete rrethanore.

 


Shtuar 7.06.2022 09:23