Vetting zbardh “gropën” te Energjetika e Ballukut/ Si devijohen fondet e energjetikës për t’u shpallur humbje në rrjet

EMISIONI VETTING

Abuzimet e 3 drejtorëve të KESH, OST e OSHEE janë shtuar me 130 milionë Euro në vitin 2023. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku u shpreh se gjatë vitit 2023 u mbyll me prodhimin më të lartë të energjisë, ndërsa Ministri i Financave, Ervin Mete, tha se ka dalë me fitime.

Por sipas të dhënave që Qeveria shpalos, rezulton se gjatë vitit 2023 është deklaruar humbje e pritshme 370 milionë Euro në sektorin e energjisë.

Pra, prodhim energjie nga HEC-et shtetërore, ka për të plotësuar nevojat dhe KESH shet energjinë e tepërt në bursë, por ky sektor del me humbje 370 milionë Euro për vitin 2023, që është 130 milionë Euro më tepër se humbja e vitit 2022.

Sepse shefat e KESH që prodhon energjinë, të OST që e transmeton dhe OSHEE që e shet te konsumatori, janë treshja “energjetike” që ngrenë dyshime të arsyeshme se devijimet e fondeve të shpallen si humbje në rrjetë.

Termi humbje, ka kuptimin që humbet diçka, ndërsa në rastin konkret, ish- drejtori i KESH, Ergys Verdho, drejtori i OST, drejtori OSHEE, quajnë humbje faturën prej 370 milion euro.

Kjo vlerë është deklaruar nga KESH e OST, në shkresat që i kanë dërguar Enti Rregullator të Energjisë, të cilit i kërkojnë t’u zgjatet afati i humbjeve deri në fund të vitit 2023, mbasi janë shkaktuar si pasojë e emergjencës për energji, prej krizës botërore nga lufta në Ukrainë.

Kryetari i ERRE, Petrit Ahmeti me Vendim Nr. 296, datë 19 tetor 2023, ka miratuar deklarimin KESH e OST për 160 milionë Euro humbje, duke firmosur dakordsinë për përballimin nga buxheti i shtetit në përshtatje me mundësitë.

Ndërsa 210 milionë Euro që OSHHE i ka deklaruar si humbje në rrjet, ka nisur t’i justifikojë Ministria e Energjisë të cilët letrat kanë vulosur humbjet, duke “përpiluar enkas” raportet teknike dhe 50% e shumës do të rimbursohen nga buxheti i shtetit.

KLSH alarm sos: Po shkelet ligji
KLSH është shprehur se në kushtet kur blihet energji me çmim të lartë në fakt kemi të bëjmë me keqmenaxhim të procesit.

Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me “Rregullat e përgjithshme të organizimit të aktivitetit tregtar nga Korporata Elektro-energjitike Shqiptare SHA”, ku përcaktohet:

“Tregtimi i energjisë elektrike duhet të synojë përdorimin me eficence të, të ardhurave, optimizmin e portofolit te KESH me qëllim përmbushjen e detyrimit për shërbim publik”.

Aktualisht këstet e detyrimeve të pashlyera të OST sh.a për huat afatgjata për vitin 2022 (pricipal + interes) janë në vlerën 5,494,007,241.13 lekë. Siç edhe theksohet më sipër, këto detyrime të akumuluara për periudhën 2021-2022 si për energjinë ashtu dhe huat afatgjata janë rakorduar dhe pranuar nga palët, por të pashlyera. Situata lidhur me dividendin e KESH sh.a. ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Situata e llogarive të pagueshme është përkeqësuar gjatë periudhës 2022, duke u thelluar në vlerën 13,158,133,277 lekë, në zërin e furnitorëve për energji elektrike. Rritja e kësaj diference ka ardhur si pasojë e blerjeve për energji elektrike që KESH ka kryer në treg me çmimet e bursës dhe i’a ka shitur Furnizuesit të Shërbimit Universal me tarifat e miratuara nga ERRE, duke absorbuar diferencën e çmimit.

Një tjetër pikë që konsiderohet si shkelje nga ana e KLSH është trajtimi me dieta për punonjësit ku duhet të ishte respektuar kuota 300 lekë/vakt ditë pune ndërkohë që kanë vijuar të mbeten 500 lekë vakt/ditë pune.

“Nga auditimi i dokumentacionit të listë pagesave për periudhën 01.01.2021 – 31.12.2022 rezultoi se dieta për trajtim ushqimor është paguar në masën 500 lekë vakt/ditë pune, ndërkohë që duhet të paguhej 300 lekë/ditë. Nga llogaritja e liste pagesave të periudhës 01.01.2021 – 31.12.2022 rezulton se ky përfitim është në masën 170,018,888 lekë, nga 102,011,333 lekë që duhej të ishte pra është paguar më tepër shuma prej 68,007,555 lekë e cila konsiderohet shpenzim pa efektivitet për buxhetin e shoqërisë”, thuhet në raport.

KLSH ka nënvizuar edhe dëmin që i ka ardhur KESH nga largimet nga puna ku një pjesë çështjesh janë fituar në gjykatë teksa ka të tjera që ende vijojnë.

“Nga auditimi konstatohet se lidhur me proceset gjyqësorë në të cilat shoqëria është palë, nga dokumentacioni i vënë në dispozicion konstatohet se për periudhën objekt auditimi janë humbur 81 çështje gjyqësorë në Apel, nga ku janë humbur 3 çështje gjyqësorë në Gjykatat e Shkallës të Lartë dhe në Gjykatat e Apelit, duke e detyruar institucionin të paguajë vlerën 2,375,484 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore.


Për periudhën objekt auditimi, janë në proces gjykimi 7 çështje gjyqësorë në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, në vlerën 1,810,437 lekë si dëmshpërblim për ndërprerje të paligjshme të marrëdhënieve të punës dhe shpenzime përmbarimore. Në total, vlera 4,185,921 lekë, konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet për buxhetin e shoqërisë”, nënvizon KLSH.

Por nuk mbaron me kaq Verdho në 2024 është promovuar në detyrë, duke u vendosur drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhës, mbete për t’u parë nëse abuzimet do t’i marr përsëri me vete edhe në këtë drejtori.


Shtuar 11.04.2024 21:06