Forcat “Shqiponja” në bashkëpunim me Komisaritatin nr.2 në Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin “Sinjali”.
Në pranga ka rënë 44 vjeçari që qarkullonte me armë zjarri pistoletë, teksa kjo e fundit është sekuestruar nga policia.
Njoftimi policisë:
Tiranë/Finalizohet nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Sinjali”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Arrestohet në flagrancë 44-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri pistoletë.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Sinjali”.
Gjatë operacionit, në zonën e quajtur “Komuna e Parisit”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. K. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur këtij shtetasi një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. K., 44 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”./albeu.com