Vendi me “sy të mbyllur”/ Nesër është vonë…

Nga Taulant Halili /AlbEu.com/

“Një fëmijë që fle rritet, një shtet që fle vdes”, kjo është një nga frazat që ka ngelur në mendjen e çdo shqiptari që ka parë filmin “Nëntori i Dytë”, ku aktori i madh Sandër Prosi interpreton rolin e “Babait të Pavarësisë”, Ismail Qemali.

Por me ndryshimin e kohërave mesa duket ka ardhur momenti të ndryshohen edhe frazat.

Ndërsa dikur një fëmijë etiketohej rrugaç, se linte një orë mësimi apo se pinte një cigare (duhan burrash) fshehurazi prindit, sot këto janë krejt normale, madje në shoqërinë e sotme cilësohen trendy.

Fjalori banal, tymi i cigares, hashashit, kanabisi, apo dhe drogërat e fundit siç janë ato me anë të tollumbaces me azot, sot kërcënojnë frikshëm deri në shkatërrim jetën e çdo fëmije në Shqipëri.

As më pak e as më shumë, por vajza adoleshente të moshave 14-15-vjeç ishin kryefjala e rrjeteve sociale gjatë ditës së sotme, pasi ato u filmuan duke i kaluar njëra-tjetrës tollumbacen me azot.

Video me momente rrëqethëse, kur një nga vajzat plaset në tokë si top llastiku, pasi nuk përballoi sasinë e drogës që kishte futur në trup.

E ajo që e bën edhe më alarmante situatën, është se sot droga nuk konsumohet në fshehurazi prindit, apo cepave të pallatit, por pranë institucioneve arsimore, aty ku prindërit dërgojnë fëmijët e tyre të marrin dije.

I kujt është faji?

Shpesh jemi mësuar dhe kemi dëgjuar se faji është gjithmonë jetim, por jo në këtë rast. Këtë herë faji është i të gjithëve, i prindit në radhë të parë, që para edukimit të fëmijës ka vënë paratë, karrierën, rehatinë.

Është faji i sistemit arsimor, ku mësuesi nënvlerësohet aq sa në degët e mësuesisë përfundojnë ata që edhe pesën e kanë marrë me mik.

E ka fajin shoqëria që shembull sot ka të fortin, harbutin, trafikantin, e që intelektualin e tall dhe e bullizon çdo ditë.

E ka fajin politika, ku të fortët e të pashkollët miratojnë ligje për akademikët e doktorantët.

E ka fajin media, ku imazh ka shalët dhe jo mendjen, ku gjoksi vlen më shumë se pena, e ku silikoni vlerësohet më shumë se gërma.

E ka fajin edhe komshia/u, që hesht ose kënaqet kur shohin fëmijën e tjetrit që në vend të librave në çantën e shkollës ka hashash, e në vend të stilolapsit mbajnë thika e pistoleta.

E nëse Sandër Prosi sot do të ishte gjallë, mbase në rolin e radhës do të thoshte: “Një fëmjë që drogohet, do të degradojë të ardhmen e shoqërisë”.

Por ajo që e bën edhe më lebetitëse situatën është se të gjithë flasin, japin mend e zgjidhje në media e kudo, por askush nuk vepron.


Shtuar 22.09.2023 22:16