Kreu i PBDNJ Vangjel Dule ka zbuluar mbrëmjen e sotme në “Log.” në ABC se përfaqësues të Partisë Popullore Europiane janë ofruar që të negociojnë krizën e brendshme në Partinë Demokratike. Dule tha se kjo ka ndodhur pasi është përjashtuar përfundimisht Berisha nga PD.
“Janë ofruar nga PPE për të negociuar për krizën në PD. Në dijeninë time kjo ka ndodhur pasi është përjashtuar Berisha në mënyrë përfundimtare”, tha Dule.
Kur u përjashtua Berisha nga PD?
Ish-kryeministri Sali Berisha u përjashtua përgjithmonë nga Partia Demokratike në orët e para të mëngjesit të 11 Janarit pas një mbledhje të gjatë të kryesisë së PD. Vendimi erdhi pas protestës së dhunshme të 8 Janarit të organizuar nga Berisha dhe mbështetësit e tij në godinën e PD.
Çfarë është PPE?
Partia Popullore Evropiane (PPE) përfshin një spektër të gjerë të partive të qendrës së djathtë dhe ato demokristiane, pjesë e të cilës është edhe Partia Demokratike. /abcnews.al