“Urime Kosovë…”, Meta për liberalizimin e vizave: Një padrejtësi mori fund

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka uruar Kosovën për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar një moment historik.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se ketë vendim, mori fund një padrejtësi, ndërsa shton se faktorët ballkanikë që e duan Europën jashtë Ballkanit, edhe kësaj radhe dështuan.

Postimi i Metës:

Urime Kosovës sonë! Një padrejtësi mori fund. Parlamenti Europian vendosi që qytetarëve të Kosovës t’u liberalizohen vizat. Ishte padyshim diskriminuese që vazhdoi kaq gjatë izolimi i Kosovës, megjithatë e përgëzoj nga zemra çdo qytetar e çdo institucion të Kosovës për këtë hap të madh drejt integrimit europian.

Faktorët ballkanikë që e duan Europën jashtë Ballkanit, edhe kësaj radhe dështuan. Europa ka ditur gjithnjë t’i vlerësojë qeveritë pro-evropiane, siç ka ndodhur me Shqipërinë kur arritëm liberalizimin në vitin 2009, siç po ndodh edhe sot në Kosovë.

/AlbEu.com/


Shtuar 18.04.2023 17:33