Kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Kongresin e Jashtëzakonshëm të PS-së, ka folur për digjitalizimin e shërbimeve në Shqipëri, të cilin e cilëson një sukses. Ndërsa sportelet e Kadastrës, të cilat u mbyllën këtë vit dhe u transferuan online, i cilëson si turpin e Partisë Socialiste.
Vazhdimi i këtij projekti, do të sjellë një shërbëtor/e për cdo qytetar, të cilët nga viti i ardhshëm do mund të komunikojnë me një person virtual përmes celularit të tyre, i cili do t’ia mundësojë shërbimet që kërkon.
Rama: Sot Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe një ndër të paktët në Evropë që s’ka sportele shërbimesh. Më në fund këtë vit u mbyllën sportelet e turpit të PS. Nëse ka pasur një turp për PS, ka qenë hipoteka. U mbyllën dhe ato. Sot nuk ka sportele. 8.7 milionë shërbime janë dhënë në 2022 për qytetarët pa radha, pa lekë dhe 11 milionë shërbime deri në nëntor të këtij viti. Viti i ri do të hyjë në E-albania 2.0. Të gjithë do kenë një shërbëtor personal, do kenë një asistent të vetin. Fillimisht shërbëtori do jetë ditë-natë zgjuar për secilin vetëm me shkrim në pasqyrën e celularit. Sa herë të hapë celularin do t’i shkruajë shërbëtorit, shërbëtori do t’i thotë “këtu jam”. Vitin e ardhshëm shërbëtori do dalë me dytyrë dhe me zë. Madje do ta zgjidhni, e doni shërbëtor apo e doni shërbëtore./albeu.com