U emërua ministër i Brendshëm, premton Balla: Do bëj gjithçka të mos zhgënjej askënd

Mbrëmjen e sotme (13 korrik) në Kuvendin e Shqipërisë është miratuar dekreti i Presidentit Bajram Begaj për emërimin e Taulant Ballës si ministër i Brendshëm. Ky i fundit ka falenderuar të gjithpërmes një postimi në Facebook premton se do të bëjë çdo gjë që mos zhgënjejë qytetarët.

Balla: Të dashur miq, do bëj gjithçka të mos zhgënjej askënd prej jush që besoni tek unë në kryerjen me sukses të detyrës së Ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama duke i shërbyer me përulje çdo qytetari të Shqipërisë sonë. Do mundohem t’i zhgënjej pozitivisht dhe ata që nuk më votuan sot në Kuvendin e Shqipërisë.

Dekreti për emërimin e Ballës ministër mori 75 vota pro, 16 kundër dhe 1 abstenim, ndërsa u mirëprit me duartrokitje nga deputetët socialistë.

Sakaq, dekreti për shkarkimin e ministrit Bledi Çuçi mori 84 pro, 3 kundër dhe tre abstenim.

Kryeministri Rama vendosi t’ia besoje këtë herë një profili të lartë politik si Balla drejtimin e ministrisë së Brendshme, pas një serie ngjarjesh të rënda të ndodhura në vend.

Taulant Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.

Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.

Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar./Albeu.com


Shtuar 13.07.2023 22:43