Trukimi i ndeshjeve të futbollit shqiptar përfundon në dyert e SPAK dhe më në fund ka një kërkesë zyrtare për të dënuar pjesëmarrës në manipulimin e rezultatit të ndeshjeve. Bëhet fjalë për një sfidë të Kategorisë së Dytë, atë mes Selenicës dhe Përmetit në marsin e vitit 2020, të fituar nga skuadra e Përmetit me shifrat 1-0 falë një penalltie.
Pas përfundimit të hetimeve, SPAK ka kërkuar 2 vite e gjashtë muaj burg për gjyqtarin e asaj ndeshje, Qerim Ruçi, i cili akuzohet se me vendimet e tij ka ndikuar direkt në rezultatin e asaj sfide. Kërkohet dënim me burg edhe për zyrtarin e Përmetit, Bledar Hajredini, si dhe ish-futbollistin Markelian Alinani. Ky është përfundimi i një hetimi që nisi në mënyrë rastësore, pasi teksa po hetohej një çështje korrupsioni, dolën në pah disa përgjime bisedash mes këtyre personave që çuan në përfundimin se ndeshja ishte trukuar.
AKUZA
Mbi dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.102/4, viti 2021
Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i parë dhe 25, 197/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.
Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 197/a, paragrafi i dytë dhe 25 të Kodit Penal.
DËNIMI I KËRKUAR NGA SPAK
Markelian Alinani – 3 vite e 6 muaj burg
Qerim Ruçi – 2 vite e 6 muaj burg
Bledar Hajredini – 2 vite burg