Temperaturat ekstreme refuzojnë të largohen, parashikimi i motit për fillimin e javës

Shqipëria do të goditet nga i ftohti polar duke filluar nga kjo fundjavë deri në mesin e javës së ardhshme. Sipas parashikimeve të Meteoalb, nga meterologia Adiola Bani, temperaturat do të zbresin në minus disa gradë Celsius.

Duke u gdhirë dita e shtunë do të kemi reshje dëbore në zonat lindore, gjithashtu do të kemi depërtimin e masave ajrore me origjinë polare duke filluar nga mesdita ne do të kemi rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, ku vlerat maksimale zbresin në 9 apo në 10 gradë Celsius sot. Më e ndjeshme rënia e temperaturave do të jetë mëngjesin e së shtunës, gjithashtu edhe mesdita ku presim që vlerat minimale pritet të ulen në minus 10 gradë Celsius në qytete të veri-lindjes, si Puka, Peshkopia, Bulqiza, Bajram Curri.

Gjithashtu edhe në jug-lindje të vendit, termometri zbret në minus 9 gradë Celsius, ndërsa maksimumi shënon deri në 7 gradë Celsius në zonat perëndimore dhe ditët më të ftohta do të jenë:

E hënë, e martë dhe e mërkurë, ku termometri në zonat malore zbret në minus 12, minus 13 gradë Celsius, ndërsa pothuajse i gjithë territori shqiptar gjatë orëve të para të ditës, 90 për qind e territorit do të jetë në vlera negative. Temperaturat e ajrit, vlerat më të ulëta pritet t’i shënojnë javën e ardhshme, ndërkohë që nuk do mungojnë as reshjet e dëborës. Me përjashtim të Sarandës, të gjitha qytetet do shënojnë temperatura negative.

Reshjet e dëborës kanë nisur në disa qarqe, përfshirë edhe Dibrën. Për shkak të uljes së temperaturave, Ministrja e Arsimit ka vendosur mbylljen e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të hënën deri të mërkurën e javës së  ardhshme, në të gjithë vendin.


Shtuar 21.01.2022 12:27